Një muaj pas arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta për akuza të korrupsionit dhe pastrimit të parave, Gjykata e Posaçme vendosi në nëntor 2024 sekuestrimin preventiv të dy vilave në zonën rezidenciale “Kodra e Diellit” në Tiranë.

Vilat ishin në pronësi të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi – gjithashtu të pandehura në të njëjtin procedim penal me Metën. Sipas arsyetimit të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë, vilat u sekuestruan mbi bazën e nenit 36 të Kodit Penal si pasuri që “rrjedhin ose fitohen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kryerja e veprës penale si dhe të çdo pasurie tjetër, vlera e së cilës i korrespondon asaj të produkteve të veprës penale”.

Në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit e ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke çliruar nga sekuestroja njërën prej vilave në pronësi të Fatime Kryemadhit. Vendimi u la më pas në fuqi nga Gjykata e Lartë.