Nga Etleva Merko

Busulla e politikës shqiptare ka humbur drejtimin. Ajo është shkëputur nga qytetari dhe nga realiteti i përditshëm, duke u mbyllur në korridore pushteti larg halleve, ankthit dhe sakrificave të njerëzve të zakonshëm. Sot, qytetarët nuk kanë më një derë ku të trokasin për zgjidhjen e problematikave të tyre, as për mbështetje socio-ekonomike nga ata që i mandatuan me votë dhe besim për të ndërtuar politika të drejta dhe të favorshme.
Përballë kemi një realitet të rënduar nga kaosi institucional, nga mungesa e përgjegjësisë dhe nga politika që prodhon më shumë pasiguri sesa zgjidhje. Një qeveri që ka humbur funksionin e saj themelor: të jetë në shërbim të qytetarit. Një qeveri që perceptohet si e kapur nga korrupsioni, e lodhur në moral dhe e shkëputur nga transparenca dhe llogaridhënia.
Por drama nuk mbaron këtu. Në anën tjetër qëndron një opozitë që nuk arrin të ngjallë shpresë, as alternativë bindëse. Retorika e saj endet mes akuzave të përsëritura për korrupsion dhe premtimeve për rrëzime të bujshme që mbeten peng i datave, protestave sezonale dhe alibive të pafundme. Një opozitë që më shumë prodhon zhurmë sesa fakte, më shumë reagim sesa vizion, më shumë emocion sesa program konkret.
Ndërkohë, skandalet shtohen, akuzat riciklohen, protestat konsumohen dhe asgjë thelbësore nuk ndryshon. Një cikël i përsëritur për vite me radhë, që krijon përshtypjen e një përplasjeje të kontrolluar, ku lufta politike zhvillohet më shumë në ekran sesa në reforma reale. Në dukje përballje, në thelb një status quo që ushqehet nga mosndryshimi.
Dhe në këtë mes, humbësi i përhershëm mbetet qytetari. Ai që paguan taksa, që përballet me çmime në rritje, me mungesë sigurie ekonomike, me emigracion të të rinjve dhe me mungesë perspektive. Ai që çdo ditë humbet pak nga pak besimin, jo vetëm tek qeveria apo opozita, por tek vetë politika si instrument ndryshimi.
Gjendja e sotme nuk është thjesht krizë qeverisjeje apo opozite; është krizë besimi. Dhe kur besimi zbehet, demokracia dobësohet. Shqipërisë nuk i duhet më retorikë e lodhur, as përplasje teatrale. I duhet përgjegjësi, transparencë, vizion dhe mbi të gjitha, kthim tek qytetari si qendra e çdo vendimmarrjeje.
Sepse kur politika humbet qytetarin, humbet arsyen e ekzistencës së saj.