Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, reagoi në Kuvend lidhur me rrëshqitjen e dheut në aksin Librazhd – Përrenjas, duke kritikuar opozitën për një reagim të politizuar. Ajo tha se opozita nuk është e pranishme kur hapen projekte zhvillimi në Elbasan, por shfaqet vetëm kur ka situata të vështira, siç është rrëshqitja e dheut në një segment të vjetër rruge.
Mila theksoi se rrëshqitja po trajtohet me masa konkrete dhe se rruga do të jetë e kalueshme shumë shpejt. Ajo shtoi se debati i vërtetë është për rëndësinë strategjike të Korridorit VIII, një arterie që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe e pozicionon Shqipërinë dhe Elbasanin në hartën e tranzitit rajonal.
Në fjalën e saj, deputetja theksoi se Elbasani meriton zhvillim të qëndrueshëm dhe investime afatgjata, ndërsa opozita e sheh çdo projekt strategjik si kërcënim elektoral, jo si mundësi kombëtare.






